Kapitalizmi nderon punëtorin – një rrëfim i pazakontë

Siç dihet, në Tiranë është hapur së fundi një qendër e re tregtare. Përtej asaj në ishte apo jo e nevojshme, përtej diskutimit mbi konsumizmin, fuqinë blerëse e të tjera, personalisht kjo qendër tregtare, nga pikpamja estetike m’u duk e bukur dhe mjaft moderne. Madje i kishte dhënë pak hijeshi sheshit kaotik tek Zogu i Zi, me ato pak pemë, barin dhe shatërvanin e vogël. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte një skulpturë në krye të tapetit lëvizës që të ngjit në katin e dytë, sapo hyn në ndërtesë; pikërisht kjo në foto: tre punëtorë që po ndërtojnë qendrën tregtare në fjalë. Duket si një skulpturë e realizmit socialist, me në qendër punëtorin, një homazh për klasën punëtore, ndoshta një falënderim për djersën e atyre që punuan në ndërtimin e asaj godine. M’u duk e çuditshme, gati-gati si ndonjë film me regjisor romantik që beson në simbiozën sociale të klasave shoqërore. Si një slogan: Kapitalisti falënderon punëtorët; Kapitalizmi nderon punëtorin; Dallimet klasore nuk janë; Ne jemi një shoqëri, kemi vetëm role të ndryshme;… Në thelb të gjitha mund të qëndrojnë, duke mbajtur parasysh edhe përjashtimet e rastit, por jo këtu, jo në këtë kohë.

    Pasi dola nga aty, duke marrë me vete shijen e mirë të një cope perëndim në mes të kryeqytetit tim dhe shijen e papëlqyeshme të mungesës së mundësisë për t’i blerë sime shoqeje ndonjë gjë të bukur, e gjeta veten përsëri në rrugën e njohur të qytetit me pluhur. Dhe kur po prisja për urbanin e unazës, afrohet një burrë, mbi të pesëdhjetat, i cili mbante në dorë një tufë stilolapsash të verdhë me kapakë blu, të cilët i kam pas përdorur në shkollë. I shiste dhe bashkë me to shiste edhe një sasi mëshire. Se teknika e tij e shitjes përmblidhej shkurtimisht në disa fjalë kyçe: Nji milek, sevap, hallexhi. Tre stilolapsa 10 lekësh për 100 lekë të reja, por jo vetëm; bashkë me stilolapsat merrje edhe urimet e tij e bashkë me lekët jepje edhe kontributin tënd për të zbutur varfërinë e tij.

     Një seri pyetjesh të lindin vetvetiu nga një kontrast i këtij lloji dhe një shtëllungë ndjenjash të ngjitet prej diku thellë e ngec mes brinjëve e mushkërive. Një kapitalist i bën homazh klasës punëtore; thuajse irreale! Një shoqëri e tërë krijon kushtet që një pesëdhjetëvjeçar të shesë stilolapsa duke kërkuar lëmoshë, sa për të mos kërkuar lëmoshë pa dhënë asgjë në shkëmbim; më shumë se absurde! Po, një shoqëri, e përbërë prej meje, teje dhe individëve të tjerë të ngjashëm ose të ndryshëm me ne. Jo shteti, jo politika, por shoqëria, ne. Në kohën e tragjedisë në Fukushima të Japonisë, ku pas tsunamit pati edhe rrjedhje nga një central bërthamor, lexova edhe rrëfimin e një vietnamezi që punonte si polic në Japoni. Ai i shkruante njerëzve të tij në Vietnam mbi ngjarjet që shihte përditë dhe një nga më prekëset ishte ajo e një djali nëntë vjeç, i cili kishte parë prej dritares së shkollës se si makina e babait të tij rrëmbehej prej dallgës, ndërkohë që shtëpinë e kishte fare pranë plazhit e me siguri e ëma dhe e motra nuk kishin shpëtuar. I kishte humbur të gjithë dhe në kohën e rrëfimit ishte në radhë për të marrë racionin ushqimor që u jepej të mbijetuarve. Polici në fjalë i kishte dhënë racionin e tij, sepse djali ishte në fund të rreshtit e ndoshta kur t’i vinte radha nuk mbetej më ushqim për të, por djali nuk e kishte ngrënë. Ai e kishte vendosur ushqimin aty ku ishte ushqimi që do t’u shpërndahej të gjithëve. Kur polici e kishte pyetur, ai i kishte thënë se shihte njerëz më të uritur se ai. Tani të kthejmë pak sytë nga vetja, të vendosemi në vendin e djalit të vogël japonez dhe t’i tregojmë vetes sinqerisht se ç’do të bënim me ushqimin. Ndalo pak dhe mendo përgjigjen. … Ja pra, këtu e kam fjalën kur them që një shoqëri e tërë krijon kushtet që një pesëdhjetëvjeçar të shesë stilolapsa duke kërkuar lëmoshë. Sepse nuk kemi arsye pse të mos jemi të pasur e të zhvilluar, ndoshta jo si Japonia, por të paktën si Islanda, që ka banorë sa 10% e Shqipërisë dhe shumë më pak burime se ne, është në mes të akullit e plot me vullkane  e prapëseprapë është një vend ku ne do të shkonim të jetonim si emigrantë. Pra pse ky kontrast?

     Duke qenë i ndërgjegjshëm se kritikat apo këshillat drejtuar një shoqërie të tërë janë si puna e larjes së duarve pas vendimit për dënim me vdekje, gjoja e bëra timen e tani e keni ju në dorë, nuk po nxjerr përfundime se si e qysh duhet ta përmirësojmë këtë gjendje ku e kemi futur veten, por po rrëfej zgjedhjen time:

Unë nuk i jap lekë lypësve, përpiqem të ble sa më pak gjëra që nuk më duhen nga shitësit që kërkojnë lëmoshë dhe nuk pres nga qeveria. Nëse nesër do të kem mundësi të ndihmoj konkretisht dikë të dalë nga varfëria, do ta bëj pa pritur të më kërkohet. Deri atëherë, ngaqë nuk di për kë të më vijë keq më parë, nuk do t’ia shes më mëshirën time askujt.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s