Mundësia dhe gabimi i partive të vogla

Gabimi më i madh i partive të vogla është futja në koalicion për zgjedhjet vendore. Ja ta sqaroj dhe pse:

Ky sistem elektoral është vrasës për partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur, kur vjen puna tek zgjedhjet parlamentare. I ndërtuar në këtë formë që është, një kandidat i pavarur, ose një parti e vogël duhet të kenë një popullaritet të madh për t’u zgjedhur deputet dhe, po ta kishin këtë popullaritet, do të kandidoheshin prej partive të mëdha. Kështu që, për të mbijetuar (partitë e vogla, se të pavarurit e kanë të pamundur), futen në koalicione të gjera me të gjitha partitë e mundshme, pavarësisht parimeve të secilës. Por, a janë kaq të pashpresa partitë e vogla? Në fakt këto e kanë një mundësi dhe kjo është pikërisht në zgjedhjet vendore. Në zgjedhjet vendore votohet drejtpërdrejt për kryetar bashkie dhe sistemi proporcional rajonal del jashtë loje. Këtu është shansi i madh i njerëzve të angazhuar privatisht, ose me partitë e vogla, që të kandidohen dhe pse jo, të kenë një një mundësi të mirë për të fituar.

Në vend të kësaj, ajo që ndodh është që, partitë e vogla u bashkohen koalicioneve, mbështesin kandidatët e partive të mëdha rreth të cilave mbështillet koalicioni dhe pastaj bëjnë edhe sikur kërkojnë vota për këshill bashkiak, në një përpjekje patetike për të mbajtur elektoratin e tyre. Dhe si rrjedhojë e kësaj sjelljeje, parti të vogla që kanë patur një peshë specifike jo të papërfillshme në të kaluarën, sot thuajse janë zhdukur, janë vetëm formalisht, por që, ndjesë për fjalët, nuk ua fishkëllen më njeri. Dhe është e drejtë kështu, sepse përderisa nuk përfaqësojnë më asnjë parim, por kërkojnë dëshpërimisht vetëm mbijetesën e tyre, duke iu lëpirë partisë “mëmë” për një post zëvëndës-ministri apo drejtori, si pritet që dikush t’i marrë seriozisht?

Në zgjedhjet vendore, një parti e vogël apo një kandidat i pavarur i ka të gjitha mundësitë, në mos të fitojë, të paktën të prezantohet denjësisht. Dhe mënyra është shumë e thjeshtë: Së pari ta ndajnë mendjen të mos futen më nëpër koalicione; të gjejnë individë të aftë dhe “pa njolla në biografi” (nuk e them me shaka këtë); t’i promovojnë këta individë, duke u dhënë mundësinë të flasin publikisht, të paktën dy vjet para zgjedhjeve të ardhshme, duke ndërtuar kështu një program qeverisës të mirëkonsultuar me zgjedhësit dhe të pranuar prej tyre dhe në fund, të zgjedhin kandidatin më të përshtatshëm dhe të ndërtojnë një listë për këshill bashkiak të mbushur me individë që gëzojnë rrespektin e elektoratit të zonës. Kështu ndërtohet edhe një rrugë komunikimi e shtruar mirë me zgjedhësit, të cilët do t’i referohen të zgjedhurve të tyre në këshillat bashkiakë për shqetësimet, kështu edhe edukohen votuesit se cilët kandidatë duhen votuar e kështu sigurohet vazhdimësia e demokracisë dhe në të njëjtën kohë edhe mbijetesa e partive të vogla, që përfaqësojnë ndonjë vlerë.

Ndoshta e gjitha tingëllon si ndonjë dëshirë utopike për të ndryshuar botën, se njerëz me reputacion të tillë nuk ka, se gjithsesi do të votohej kandidati i njërës prej partive të mëdha, etj., etj., etj., dhe po, të gjitha këto janë të vërteta, por jo gjithmonë; të gjithë njohim dikë që është (individ) më i zgjuar se pjesa tjetër e njerëzve që e rrethon, të cilit vështirë se mund t’i mësosh ndonjë gjë që nuk e ka mësuar më parë, i aftë të japë gjykime të drejta, zgjidhje efikase, këshilla të vlefshme, dikë pra që është përgjithësisht i dobishëm, efikas dhe efiçent; të gjithë njohim të paktën një të tillë, nga shkolla, nga puna, në familje, në farefis a kudiun’. Janë këta pra, njerëz të cilëve u drejtohemi (ose do t’u drejtoheshim) për këshillë dhe për ndihmë, të cilëve do t’u besonim çelësat e shtëpisë, këta pra janë kandidatët idealë për të drejtuar një qytet; e shikon që ke një kandidat ideal në kokë tani? Ose dikush mund të ndjehet se është pikërisht ai kandidat ideal dhe kjo është mrekulli, kemi një kandidat të pavarur.

Ka dy lloj njerëzish të zgjuar: Të ndërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm për kapacitetin e tyre. Të parët duhet t’i ndjekësh, të dytët duhet t’i zgjosh nga gjumi. Por që të dy kanë kapacitetin për të drejtuar qytetin tënd. Tani, këto zgjedhje e patën si e patën, vetëm Kryeqytetasit kanë një mundësi të mirë të zgjedhin mes gjashtë kandidatëve, të tjerët kanë dy, ndonjë edhe tre, por jo më shumë. Siç thotë populli, mend për herë tjetër dhe, për zgjedhjet e tjera vendore, të fillojmë të punojmë që tani, se nuk ka kohë. kemi një verë kohë për të menduar kandidatin tonë ideal për kryetar bashkie, të flasim me të dhe me të tjerët për të ndërtuar një grup të mirë pune, të fillojmë t’i shkruajmë gjërat që duam të përmirësojmë në vendin ku jetojmë dhe t’i mbledhim të gjitha bashkë, në një program elektoral të pranuar nga zgjedhësit, që jemi ne. Kështu, kandidati ynë do të jetë “prej gjirit të popullit” dhe do të jetë dikush që e di se kush e solli aty e se kush e ka fuqinë ta heqë, nëse i zhgënjen.

Duam demokraci? Le të bëjmë demokraci!

Dikush të lajmërojë partitë e vogla.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s