Gazetarì “mes e poshtë”

Nuk dua të merrem me Sokol Ballën dhe se çfarë ka bërë; ka plot mësues morali, mbrojtës të lirisë së shprehjes apo të privatësisë dhe besoj se për këtë do të flitet. Dua të nisem nga ajo që ndodhi me Sokol Ballën për të trajtuar një problem shumë më të thellë.

Kritiku Agim Baçi shkroi një artikull me titull “Letërsi ‘mes e poshtë'” mbi librin “Zonja Z.” të Albatros Rexhajt. Ndër të tjera, shkruante: “Kjo është një letërsi që nuk e kalon rripin e mesit. Nuk ka të bëjë me zemrën e aq më pak me mendjen…”. Pa u marrë me atë nëse ka të drejtë kritiku për librin në fjalë, dua t’i huazoj fjalët e tij, duke zëvendësuar “letërsi” me “gazetari”.

Dhe fillojmë;
Pothuajse të gjitha mediat, jo vetëm shqiptare, kanë seksionin e tyre të lajmeve “rozë”, ku merren hollësisht me atë që bëjnë njerëzit, të cilët kanë një profil publik, në jetën e tyre private. Gazetarët e këtij profili i ndjekin personazhet nëpër lokale, plazhe, makina, u futen në shtëpi, në krevat, në kompjuter, në celular, në brekë, vetëm për të nxjerrë prej andej ndonjë gjë që “përbën interes për publikun”. Sipas kësaj lloj gazetarie, interes përbën nëse një këngëtare ka hequr më shumë rroba në videoklipin e radhës se në atë paraardhës, nëse ajo ka shtuar apo ka humbur ndonjë kile, nëse ka ndonjë të dasbur të ri, që e ka ndihmuar me realizimin e këngës dhe jo se cili ishte kompozitori, poeti që shkroi tekstin, regjizori i klipit, e të tjera si këto. Aq më pak pastaj të nerren me brendinë e këngës, me motivet, të bëjnë ndonjë kritikë profesionale, ta krahasojnë me këngët e mëparshme, nëse ka rritje cilësore apo rënie, etj.. Jo! Të gjitha këngët që hidhen në treg janë “hit”, s’kanë të sharë, dhe mbetet vetëm për të parë nëse këngëtarja ishte apo jo më seksi këtë herë. E njëjta gjë për thuajse çdo fushë tjetër të jetës publike, përveç ndoshta politikës. Lajmet rozë janë buka e përditshme e parapëlqyer.
Menjëherë pas tyre, ngaqë më të rralla, vijnë skandalet!

Gazetarët vdesin për pak skandal, të çdo lloji. Veçanërisht atë seksual, ato janë lloji më i mirë. Skandalet nxjerrin “të palarat” e njerëzve publikë, të cilët duan apo jo ata, bëhen shembuj, modele që ndiqen nga të tjerët. Dhe interesi i ndjekësve të lajmeve për skandalet, vjen pikërisht prej faktit se të përfshirët janë modele.

Njeriu mesatar ose i merr njerëzit publikë si modele dhe i ndjek, ose jo. Ai që i ndjek ka prirjen të ketë një prej dy qasjeve kundrejt modeleve: t’i adhurojë, ose t’i shkatërrojë. Ai që nuk i ndjek ka një prej dy qasjeve të tjera: të bëhet vetë model, ose të çmitizojë modelet që janë. Ai që do të bëhet vetë model, shumë rrallë krijon diçka të re, shumicën e rasteve ndihmon në çmitizimin ose shkatërrimin e modeleve të gjallë, për t’u zënë vendin. Në të gjitha rastet, skandalet, veçanërisht ato seksuale, bëjnë që njerëzit model të shoqërisë, të zhvishen nga çdo gjë e pazakontë dhe e jashtëzakonshme dhe të shfaqen papritur si njerëz prej mishi e gjaku, me të njëjtat dëshira e me të njëjtat vese si tonat. Duke i parë kështu, nuk shohim më personazhin, nuk shohim më modelin, por shohim njeriun që qe shndërruar në model. Dhe kjo na jep vetëbesimin se edhe ne mund të jemi si ata, fundja edhe ata njerëz si ne qenkan; të korruptueshëm si ne, gënjeshtarë si ne, oportunistë si ne, bile bile, edhe epshorë si ne! Dhe është pikërisht për këtë arsye që skandalet seksuale të personave publikë tërheqin kaq shumë vëmendje dhe ngjallin një reagim të tillë; ne i shohim ata siç janë, njerëz.

Duke u kthyer për një moment tek ngjarja me protagonist Sokol Ballën, dua të ndalem tek ajo se si e përshkruante “gazeta express“, e cila dhe publikoi lajmin:
Artikulli titullohej “Skandaloze: Perversiteti i gazetarit Sokol Balla në dy video erotike” dhe vazhdonte “Sokol Balla është përfshirë disa herë në skandale të ndryshme, por ky është skandali më i madh që mund të bëjë një person publik gjatë karrierës së tij. Më shumë se kaq, s’mund të bëjë..“. Pra, sipas kësaj gazete, gjëja më e rëndë që një njeri publik mund të bëjë është që të jetë i pakujdesshëm kur zhvishet në skype, se personi nga ana tjetër mund ta regjistrojë të gjithën dhe nesër e sheh veten protagonist videosh erotike nëpër internet. Them “i pakujdesshëm”, sepse s’ma do mendja që një njeri me një profil të tillë publik të dojë që diçka e tillë të shihet nga të gjithë. Sipas kësaj lloj gazetarie, një video private me përmbajtje erotike, është gjëja më e rëndë në botë, madje shumë më e rëndë se, për shembull, videot e publikuara nga Dritan Prifti, me protagonist atë vetë dhe Ilir Metën, në atë kohë ministër i ekonomisë, ku diskutohej se si të ndaheshin paratë e taksave të popullit mes politikanëve dhe biznesmenëve. Të jesh njeri me dëshira apo vese të caktuara seksuale, qenka më e rëndë se të jesh hajdut, me pak fjalë.

Sa për kuriozitet, “lajmi” për Ballën në një portal tjetër ishte renditur si “aktualitet” dhe ishte ndër më të shikuarit.

Ndryshe nga skandalet që nxjerrin marrdhëniet korruptive të njerëzve, vendimet dhe veprimet e të cilëve ndikojnë jetën tonë, lajmet “rozë” dhe “skandalet” seksuale të gazetarëve apo artistëve, kujt i interesojnë? Se nuk po gjej dot ndonjë arsye të qenësishme se përse dikush duhet të dijë se ç’bën Sokol Balla me hallatet e tij! Le ta pyesim pak atë që mori vendimin për ta publikuar këtë video, po ti, ç’bën me të tuat?

Kjo lloj gazetarie, “mes e poshtë” është e dëmshme. Në rastin më të mirë është humbje kohe, në rastin më të keq është shantazh. Jetë njerëzish shkatërrohen në këtë mënyrë dhe nuk ndërtohet asgjë tjetër përveç mendësisë se të shkatërrosh të tjerët për t’u ngritur vetë është shoqërisht dhe moralisht e pranueshme. Kjo lloj çorbe fjalësh, që po ngulmojmë ta quajmë gazetari, nuk e kalon rripin e mesit. Nuk ka të bëjë me zemrën, e aq më pak me mendjen. Kjo është një sëmundje veneriane e gazetarisë dhe e mendimit, që kalohet nga njëri gazetar tek tjetri, nga njëri individ tek tjetri, me anë të pallimit mendor të njëri-tjetrit, duke përdorur si organ gazeta e portale të infektuara.

Për Tiranën e kemi një gjinekolog kandidat, që ndoshta mund të jetë i aftë të kurojë disa nga pasojat traumatike të përdhunimit shumëvjeçar të kryeqytetit; tani na duhet një gjinekolog për të kuruar infeksionet gazetarisht të trasmetueshme në mediat e mendjet tona.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s