Filamenti i hollë i llampës elektrike po dridhet, sikur s’arrin të vendosë në duhet të ndriçojë apo të këputet. Është e vetmja gjë që ma ndriçon dhomën dhe drita tani ulet e tani ngrihet prapë. Rrugës kur po kthehesha më shkoi në mendje të blija një llampë tjetër, se kjo ka ca kohë dhe sikur i kishte dhënë ca shenja, por s’e bleva, m’u duk e panevojshme. Madje pashë edhe ca abazhurë të bukur, por s’i mora, luks i panevojshëm. Kam shpenzime të tjera. S’e di pse po më kujtohet nëna, kur më thoshte të mbaja gjithmonë ndonjë qiri, se s’i dihet. “S’e di pse…”! Në fakt e di, ngaqë llampa po fiket e një qiri do më bënte punë. Sidomos sonte, që do të rri edhe pak zgjuar. Nesër është dita e madhe! Nesër vendoset e gjitha. Dhe vendimin më të rëndësishëm do t’a marr vetë, kjo është ç’është!
Ç’mu gjet kjo llampë sonte! Kam gjithë këto për të lexuar, më duhet t’i mbaj mend. S’mund të paraqitem kështu nesër. Gjithë javës s’dija çfarë të lexoja, sonte që e di s’ka dritë. U bë dhe vapë. Sa dhomë e vogël po më duket kjo, sidomos kur drita ulet. Më duket sikur muret afrohen.
Të lutem, llampë, duro! Kemi kaq kohë që jetojmë bashkë, duro edhe sonte! Të premtoj se, po durove do të të vendos në një vazo porcelani dhe do të të mbaj si gjënë më të shtrenjtë. Se nesër unë duh…