U krijua një diskutim mbi një vëllim poetik me përmbajtje erotike, i cili u vlerësua me një çmim letrar nga Biblioteka Kombëtare. Përtej vlerave letrare apo mungesës së tyre në librin në fjalë (nuk e kam lexuar dhe s’mendoj ta lexoj), mendoj se harrohet apo keqkuptohet funksioni i letërsisë në shoqëri. Diskutohet përgjithësisht në rrafsh estetik në nivel profesionistësh, ka apo s’ka vlera letrare, është apo jo poezi e arrirë, estetika e gjëra të këtij lloji krejtësisht teorike. Profesionistët e fushës, në kësi rastesh harrojnë ose largohen nga qëllimi parësor i letërsisë, siç largohet një mjek nga funksioni parësor që i takon të ketë kur fillon e merret me kirurgji estetike në vend që ta dërgojë pacientin tek psikologu që ta ndihmojë me problemet e vetbesimit.
Letërsia nuk ka për detyrë të argëtojë njerëzit dhe vetëm kaq, por t’i edukojë njerëzit përmes argëtimit. Njeriu është gjitar dhe kush studion kafshët e di shumë mirë që të gjithë të vegjlit e gjitarëve mësojnë nëpërmjet lojës, pra argëtimit. Shembulli më i mirë për këtë janë përrallat; Tek “Njëmijë e Një Net” shohim një mbret të tradhtuar, të zhgënjyer e të tërbuar, i cili ka humbur arsyen dhe është ndërsyer kundër grave të gjithë botës dhe i tmerruar nga mundësia se mund të tradhtohet përsëri martohet çdo natë me një vajzë të cilën e vret në mëngjes. Pastaj vjen Shehrazadja e guximshme, e cila i jep vehtes detyrën të shpëtojë gratë e tjera dhe të shërojë mbretin e saj. E kështu, e dimë se ç’bëri dhe se si përfundoi, duke e kthyer mbretin nga një kafshë gjakatare të frikësuar në një bashkëshort të dashuruar. Magjia e vërtetë e këtyre përrallave nuk janë personazhet magjikë e të jashtëzakonshëm, nuk janë aventurat e pabesueshme e sigurisht as pallatet e shkëlqueshme; këto janë mjetet që përdor tregimtarja e talentuar për të argëtuar mbretin dhe për të mbajtur gjallë interesin e tij, duke fituar kohë për tē jetuar e për të kryer detyrën. Magjia e vërtetë e këtyre përrallave është ndryshimi i mentalitetit të mbretit, me anë të argëtimit. Është një metaforë gjeniale e funksionit emancipues të letërsisë, mundësisë që letërsia ka t’i bëjë njerëzit të kuptojnë pa ia shpjeguar drejtpërdrejtë, që do të shkaktonte reagim dhe kundërveprim, por me anë të shëmbëlltyrave, duke e bërë lexuesin të shohë tek personazhet e përshkruara një pjesë të tijën, duke i thënë që shiko, dikush tjetër që ngjan me ty ka kaluar këtë situatë të ngjashme me tënden dhe e ka zgjidhur kështu, sepse kjo ishte mënyra më e mirë për këtë, këtë dhe atë arsye.
Një përrallë tjetër,”Kësulkuqja” (mos qesh), i tregon vajzave në moshën e adoleshencës, kureshtare siç janë për të zbuluar botën përreth dhe për të shijuar lulet e pyllit të jetës se, në këtë pyll ka edhe ndonjë ujk të keq që mbase të lajkaton me fjalë të bukura dhe të shtyn të provosh dëshirat e kënaqshme që të lindin natyrshëm prej moshës, por ky ujk nuk ka për qëllim lumturinë tënde siç betohet, përkundrazi, ti s’i intereson aspak, ai do vetëm të shuajë urinë e tij. Dhe po ta pyesësh gjyshen do të të tregojë se edhe atë e ka kafshuar një ujk i tillë dikur, deri sa erdhi gjahtari zemërmirë dhe e mori për grua, domethënë e shpëtoi nga ujku, i cili do të bëhet edhe mburoja jote po t’ia dëgjosh fjalën. Dhe kur vajzat e kanë dëgjuar këtë tregim, kur rriten dhe bëhen kureshtare për ndjesitë e reja, sapo shohin që dikush i nxit drejt këtyre dëshirave e kuptojnë që bëhet fjalë për një ujk të keq dhe si rregull zbrapsen e mbrohen. Pra përralla ka qenë një lloj vaksine për ta mbrojtur vajzën e re nga rreziqet e përfituesve të pamëshirshëm. Në përgjithësi pastaj për të gjitha përrallat.
Pra letërsia, sipas asaj si e shoh unë, ka për detyrë të shpjegojë gjërat e rëndësishme me anë të argëtimit. Prandaj ana estetike ka rëndësi, se thuajse askush nuk e lexon deri në fund një libër që nuk të bën kureshtar dhe nuk të argëton, por nga ana tjetër, heqja dhe harrimi i thelbit të letërsisë dhe diskutimi i librave vetëm mbi bazën estetike është kirurgji palstike në një trup të drobitur.
Tani për erotikën, ose për letërsinë erotike.
Erotikë për mua është një tekst që flet për seksin, jo si përshkrim fizik i mekanikës, por si përjetim. Për shembull, kur përshkruhet akti si i tillë duke treguar si u zhvesh, si e tërhoqi, si e shtrëngoi e si e kapi,kjo është pornografi, ndërsa kur përshkruhet si e përjeton ai apo ajo kur ajo apo ai e kap e e shtrëngon e e tërheq e e zhvesh, çfarë mendon, çfarë i kujtohet, çfarë ndjen, etj., kjo është erotikë. Kushdo që ka bërë ndonjëherë seks e di fare mirë që gjatë seksit mendjs ngs s’të fluturon.
Vargjet më erotike që personalisht kam lexuar kanë qenë nga Lukreci dhe ishin pak a shumë kështu:
..kur bashkoheshin nëpër lëndina
Duke iu nënshtruar epshit përvëlues apo forcës përdhunuese…
Me pak fjalë të thjeshta pra Lukreci e përshkruan edhe aktin e edhe gjendjen psikologjike të të përfshirëve në akt, pa përmendur as organe, se të gjithë i kemi e pa bërë as rindërtimin e vendngjarjes, se të gjithë e dimë si bëhet seksi, edhe kush s’e ka bërë. Skenat erotike në letërsi duhet të jenë në funksion të diçkaje, se tek e fundit edhe trupi është mjet shprehjeje, por jo të përshkruhen organet e ngjarjet vetëm e vetëm për të përshkruar organet e ngjarjet. Ka një pse e gjitha dhe kjo pse e dallon erotikën nga pornografia. Kështu e mendoj unë, pak a shumë.