Unë – Himn për egoizmin

E gjithë kjo që do të them në vazhdim është një goditje sinqeriteti, një katarsis i brendshëm i stilit të Kadaresë, që thotë (pak a shumë) se po nuk e nxorrëm të keqen nga vetja, ajo do të na shpjerë në humbje. Ndonjë shkrimtar tjetër, (një shkrimtar tjetër mund të jem edhe unë në një kohë tjetër) do ta niste me ndonjë shpallje pompoze e imponuese, të tipit “Unë jam egoist!”, një vetëfajësim publik, për ta bërë të qartë se nuk bëheht fjalë për të drejtuar gishtin, por për të gjetur paqe. Mirëpo ky nuk është rasti.

Egoizmi është thelbi, kuptimi, motoja dhe motivi i jetës. Për egoizëm bëjmë gjithçka dhe gjithçka e bëjmë për egoizëm. Edhe kur duket absurde, edhe aktet më sublime janë egoizëm. Madje, sa më vetëmohues akti, aq më egoist është. Ja t’i marrim me radhë:

Puna

“Punë punë natë e ditë, që të shohum pakëz dritë.” Naimi                                                           

          Punojmë për çfarë? Për të marrë diçka në këmbim; ushqim, parà, vlerësim, kënaqësi, përvojë, vetëvlerësim, etj., pra për të marrë dobi. Dhe dobia, përfitimi pra, nuk i shërben asgjëje tjetër përveç kënaqjes së egos.

Është rasti për të sqaruar se egoja është e ndryshme në njerëz të ndryshëm, prandaj dhe veprimet prej të cilave marrim dobi dhe kënaqësi janë të ndryshme.

Puna pra, edhe pse duket gjëja më e natyrshme, është një akt egoizmi. Nuk do të ishte kështu nëse dikush do të punonte për t’i shërbyer dikujt tjetër, pa qenë i detyruar, pa ndjerë kënaqësi dhe pa marrë asgjë në këmbim. Për shembull, të marrësh e të pastrosh koshat e plehrave të një lagjeje të një qyteti me të cilin s’të lish asgjë, ku s’ke jetuar kurrë dhe ku s’do të jetosh kurrë, pa patur si motiv ndonjë ideal ambjentalist apo dobie shoqërore, pa ndonjë besim se kjo punë do të të sjellë të mira më vonë, qoftë edhe si karma. Pa asgjë. Ngjan si makinë. Vetëm një makinë e programuar e tillë do ta bënte, një njeri jo, sepse një njeri ka ideale dhe motive. Dhe në fund të fundit, një njeri pret një gjë të mire pas punës së bërë, qoftë kjo edhe ndjesinë se i ka shërbyer dikujt për mire. Dhe këtu dalim tek altruizmi.

Altruizmi

          “Kujdes nga altruizmi. Ai në bazë ka vet-mashtrimin, rrënjën e gjithë të këqijave.” Robert A. Heinlein

Forma më e fshehtë e egoizmit. Shpesh shihet si e kundërta, por në fakt nuk është. Është egoizëm i paster dhe ja ta sqaroj:

Të kryesh akte bamirësie, të sakrifikosh nga vetja për t’i dhënë tjetrit, të kryesh akte humanitare, të angazhohesh për të mirën publike, etj., janë akte altruizmi. Deri në një fare pike janë, duke pranuar edhe përjashtimet e rastit. Por pse dikush do t’ia hiqte vehtes për t’ia dhënë tjetrit (ah ti dhe mendja jote e pisët!)? Po ja, sepse ai tjetri do ta vlerësonte dhe më e pakta pritet mirënjohje në shkëmbim. Po të tregohem shumë idealist, do të thoja se marr një shpërblim moral, ndiej se kam bërë diçka të drejtë. Ndjehem mire pra, kënaq egon time, e cila kënaqet duke u ndjerë mire. Kjo është më e pakta (ose më e shumta, varet sa romantik je në këndvështrim), pa përmendur aktet në mbrojtje të së mirës publike, duke qenë se na shërben të gjithëve, edhe altruistit pra, apo aktet heroike për të fituar simpatinë e njerëzve, për idealizëm, etj., etj.

Të tilla akte do të ishin altruizëm i pastër, nëse do të kryheshin vetëm e vetëm për t’i shërbyer dikujt apo diçkaje, pa pritur asgjë dhe pa pranuar asgjë në shkëmbim, pa marrë kënaqësi shpirtërore apo morale, pa asgjë prej gjëje. Por kjo, siç dhe duket qartë, është e pamundur për një qënie njerëzore.

Dashuria

“Nuk të dua për atë që je, por për atë që unë jam kur jam me ty.” Markez

Të dashurosh do të thotë shumë gjëra, por dy janë më kryesoret: Të ndjehesh mirë dhe të përmbushësh nevojat natyrore biologjike, të lidhura me riprodhimin. Të dyja këto ilustrojnë më së miri egon. Dashuria, në thelb është përmbushje dhe shprehje e egos. Njerëz të ndryshëm dashurojnë në mënyra të ndryshme, sepse kanë ego të ndryshme. Nëse dashuria nuk do të ishte egoizëm, do të ishte njësoj për të gjithë dhe xhelozia nuk do të kishte kuptim. Por fakti është që nuk ka dashuri pa xhelozi, nuk ka dashuri pa grindje, e të tjera si këto dhe këto të gjitha janë shprehje e natyrës egoiste të dashurisë.

Vlen të trajtojmë ndryshe llojet e tjera të dashurisë, si dashuria prindërore, dashuri për atdheun, për natyrën, etj.. Këto në thelb janë mirëdashje, por kanë një natyrë irracionale dhe gjithashtu një shije jo të lehtë egoizmi. Sepse:

Dashuria e prindit për fëmijën dhe anasjelltas, e cila është e pakushëzuar deri në përmasa ekstreme, është irracionale sepse nuk pret gjë në shkëmbin të dashurisë që jep, ose që ndjen. Është edhe egoiste, sepse prindi tek fëmija sheh vazhdimësinë e tij, sheh përkrahjen që do të ketë në vështirësi, sheh mbështetjen dhe ndihmën që shpreson të ketë për përmirësimin e situatës ekonomike dhe shoqërore, sheh krenarinë e tij në rrethet shoqërore, etj., ndërsa fëmija tek prindi sheh mbështetjen që është mësuar të ketë, ndihmën për t’u rritur, strehën e parë dhe të fundit për çdo problem, pikën “zero”, ku mund të kthehet gjithmonë për t’ia nisur nga e para, etj. Të gjitha këto janë shprehje të egoizmit dhe, dëshmi e karakterit egoist të kësaj lloj dashurie është zhgënjimi, që jo rrallë prindi pëson prej fëmijëve dhe anasjelltas.

Dashuria për atdheun, është irracionale sepse atdheun e vet e duan edhe të pasurit edhe të varfërit, edhe ata të cilëve atdheu u siguron thuajse gjithçka, edhe ata atdheu i të cilëve është i shkatërruar dhe s’ka asgjë. Është egoizëm sepse atdheu të jep identitet, njerëzit e kanë pjesë të vetën vendin ku kanë lindur e ku janë rritur, gjuhën, traditat, gjithçka që gatuhet në ne gjatë rritjes. Dhe identiteti, të kesh diçka tënden, do të thotë të kesh diçka për të treguar, diçka me të cilën të mburresh, të tregosh që ke vlera e që ke rrënjë dhe të gjitha këto bashkë të japin vetëbesim, krenari e një sërë ndjenjash të tjera që tek e fundit nuk janë gjë tjetër përveçse burime kënaqësie mendore e shpirtërore, pra egoizëm.

Dashuria për natyrën, nuk është edhe në thelb irracionale, sepse njeriu, për nevojat e tij të përditshme është i detyruar të shfrytëzojë burimet natyrore dhe t’i mbrojë këto burime, për të siguruar vazhdimësinë e vet. Natyra egoiste e kësaj dashurie është e qartë.

Besimi fetar

“E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi”.
Kur’an, Inshirah 5-6

Njeriut i vjen shumë natyrshëm besimi në një Zot, apo disa të tillë. Dhe secili besimtar ka motivet e tij për të besuar dhe një ndër kryesorët është përfitimi. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me përfitime materiale, por me përfitime morale, shpirtërore, shoqërore dhe më kryesorja, besimin se në jetën pas vdekjes punët e mira do të shpërblehen me një parajsë, që është dhe forma sublime e kënaqësisë.

Gjithashtu është lutja, besimi se Zoti apo zotat do t’i përgjigjen lutjeve tona duke na dhënë atë për të cilën kemi nevojë, kryesisht në këtë jetë.

Të gjitha janë shprehje e egoizmit, sepse punët e mira bëhen për të përfituar shpërblimin e Qënies Supreme dhe punët e këqija shmangen për të shmangur ndëshkimin. Dhe, siç edhe u sqarua më lart, shpresa për të patur dobi prej veprimeve është shprehje e egoizmit.

Pjesë e besimit fetar janë edhe frika dhe sakrifica. Po i trajtoj bashkë, se në thelb, në kontekstin e besimit fetar, kanë të njëjtin qëllim: shmangien e ndëshkimit dhe përfitimin e shpërblimit. Ndërsa shpërblimin e sqaruam, po sqarojmë edhe ndëshkimin: të ndëshkohesh do të thotë të vuash një dënim të caktuar si pasojë e një veprimi të caktuar dhe kjo, lëndon egon, shkon në të kundërt të kënaqjes së saj. Frika nga ky lloj ndëshkimi është ajo që na ndalon të kryejmë veprime që sjellin si pasojë ndëshkimin, ndërsa sakrifica është një lëshim që bëjmë, duke shpresuar gjithsesi në një shpërblim shumë më të madh. Pra, të dyja këto synojnë kënaqjen e nevojave të egos.

Frika dhe sakrifica nuk janë vetëm të lidhura me besimin fetar, ndaj lind nevoja të trajtohen edhe nga një kënvështrim më i përgjithshëm:

Frika

“Nuk ka iluzion më të madh se frika” Lao Tzu

Jashtë kontekstit fetar, frika është një ndjesi penguese irracionale, e cila shfaqet kryesisht  në dy forma: e lidhur me diçka konkrete, si frika ndaj ligjit, ndaj opinionit dhe paragjykimeve, ndaj dikujt që të kërcënon fizikisht apo ekonomikisht, etj., si dhe në formën irracionale, si frika nga errësira, lartësitë apo të gjitha llojet e fobisë. Të dyja llojet e frikës janë të lidhura me mundësinë që diçka apo dikush ka të na dëmtojë, pavarësisht se çfarë apo si. Pra, truri vlerëson se një veprim apo mosveprim i caktuar sjell një dëm të caktuar. Dëmi shkon në kundërshtim me interesin dhe interesi është përmbushje e nevojave të egos; si rrjedhojë, dëmi është e kundërta e egoizmit, prandaj është frika, për të shmangur dëmin, ose mundësinë për të pësuar dëm.

Sakrifica

“Mund të kesh çdo gjë që do, nëse do të sakrifikosh çdo gjë tjetër për të”. J. M. Barrie, Petter Pan

Sakrifica konsiderohet si akti më sublim, akt vetmohimi në ndihmë të të tjerëve, altruizëm ekstrem, e të tjera me radhë. Por nuk është kështu. Një rast i famshëm sakrifice është ajo e shahistit që sakrifikoi mbretëreshën dhe fitoi lojën pas pak lëvizjesh të mëtejshme. Kjo ishte një dredhi psikologjike gjeniale dhe kurrsesi nuk mund të konsiderohet si sakrificë, sepse tek e fundit, edhe mbretëresha, pavarësisht se është figura më e fuqishme e lojës, shahistit i shërben për të njëjtin qëllim që i shërbejnë të gjithë gurët e tjerë, për të fituar lojën. Ajo që ai bëri është që e pa në këtë këndvështrim, ndërkohë që kundërshtari nuk ishte gati psikologjikisht. Edhe në jetë, të gjitha gjërat që kemi, pavarësisht rëndësisë, na shërbejnë për të njëjtin qëllim: kënaqja e egos. Arritja e kënaqësisë pra. Sakrifica është një llogari e ftohtë, shpeshherë e pandërgjegjshme. Ajo që sarkifikojmë është, tek e fundit, një mënyrë për të arritur kënaqësi. Nuk është e rastit që, njerëzit më të prirur drejt sakrificës (altruizmit në përgjithësi) janë njerëz të konsideruar “të ndjeshëm”, karaktere që kënaqësinë sublime e arrijnë shpirtërisht e jo fizikisht. Nga ana tjetër, ata që nuk japin nga vetja apo nga gjërat që kanë, quhen rëndom “egoistë”. Këta të fundit, në fakt, ndryshe nga të parët, kanë një tjetër mënyrë për të ndjerë kënaqësi dhe kjo mënyrë është kryesisht fizike dhe materiale, por në thelb, të gjithë njerëzit janë njësoj dhe kjo ngjashmëri lidhet me atë që të gjithë, pa përjashtim kanë qëllim arritjen e kënaqësisë. Ndrtyshimet janë për shkak të gjërave të ndryshme që shkaktojnë kënaqësi tek individë të ndryshëm.

Shfaqjet e tjera të sjelljes egoiste janë përtacia, epshi, lakmia, etj.,  etj., etj. Këto janë gjëra shumë afër mendjes dhe nuk kanë nevojë për shtjellim. Në lidhje me to mund të them vetëm që, ndryshe nga ato çka u thanë më sipër, këto nuk e fshehin veten, pra janë sjellje të sinqerta, shpalosje të çiltra të thelbit të karkterit.

Ego është vetja, ajo pjesa që përjeton, që mendon, që ndjen, që merr vendime, që vuan, që kënaqet. Ego është individi, karakteri, thelbi. Gjithçka bëhet për veten, që në fund të ndjehemi mirë. Gjithçka është egoizëm. Le ta përjashtojmë cilësimin “egoizëm” nga fjalori.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s