Ori dhe dera
Ori Golia ishte një vajzë e bukur dhe e zgjuar, nxënësja më e mirë e shkollës dhe kapitene e ekipit të volejbollit. E zgjodhën kapitene që në vit të parë, për shkak të trupit të saj, njëqind e tetëdhjetë centimetra, por edhe sepse ishte sportiste me disiplinë të lartë dhe shumë e aftë. Nën drejtimin e Orit, ekipi i saj kishte fituar katër kampionate mes shkollave të qytetit, në katër vite radhazi.
Pasi mbaroi gjimnazin, asaj iu ofrua një bursë studimesh nga një prej universiteteve private në Tiranë dhe gjithashtu një vend i denjë në një prej ekipeve të volejbollit për vajza. Edhe këtu ajo pati shumë sukses, duke ndihmuar ekipin të fitonte kampionatin në kategorinë e saj që në vitin e parë, si dhe të ngjitej një kategori më sipër.
Të gjithë e duan Orin, mësuesit, trajnerët, shoqet e ekipit, familja, të gjithë. Ori është një vajzë shumë e mirë, e admirueshme. Një shoqja e mamasë së saj e quajti mbesën e porsalindur “Ori”, që kur të rritej të bëhej si Ori Golia. Shkolla ia dyfishoi bursën dhe ia zgjati për të gjithë ciklin e studimeve, i dha të gjitha mundësitë që Ori të ndiqte edhe volejbollin e edhe shkollën, e bëri imazhin e saj për të tërhequr studentë të mirë dhe përfaqësuesen e saj nëpër aktivitetet studentore brenda dhe jashtë vendit. Ajo ka një jetë shumë aktive dhe është shumë e suksesshme. Të gjithë e admirojnë Orin.
Vetëm se Ori është pak e pakujdesshme, kur vjen puna tek gjërat e vogla. Për shembull, ajo gjithmonë harron të ushqejë papagallin e vogël që mban në dhomë. Për këtë kujdeset një shoqja e saj, gjithsesi. Ose, kur duhet të dalë me shoqet, ndërkohë që në të njëjtin orar ka një aktivitet, ajo harron t’i lajmërojë ato dhe thuajse gjithmonë mungon. Por shoqet e saj e dinë që Ori është shumë e zënë dhe nuk e marrin për keq, madje e përkrahin. Edhe kur ndonjë djalë i kërkon të dalin, Ori harron të shkojë në takim, ndonjëherë harron edhe të përgjigjet në telefon. Por gjithsesi, edhe djemtë e duan Orin, sepse ajo është shumë e bukur siç thamë.
Kur u kthye në shtëpinë e prindërve gjatë pushimeve verore, Ori përplasi kokën tek dera e dhomës së saj të fëmijërisë. Ajo derë ishte e ulët dhe Ori ishte rritur shumë.