Kohë fushate, kohë trazirash. Viti 1997, Shqipëri. Qytetin s’po e përmend, se historia është e Bashkimit, jo e qytetit. Bashkimi po pi raki me hudhra, djathë e ullinj dhe po mendon mbi fushatën. Në njërin krah ishte kandidati i Partisë së Parë, në tjetrin ai i Partisë së Dytë. Djem të lindur e rritur në të njëjtin qytet me Bashkimin, njiheshin të tre që në fëmijëri. Vetëm se Bashkimi është gjakftohtë dhe nuk merret me politikë, kurse ata të dy merren. Por janë ndarë, njëri nga njëri krah e tjetri nga krahu tjetër. Ky i pari del e bërtet në shesh, para burrave: “Poshtë hajdutët! Hajdutët në burg”. Dhe mirë e ka. Ky tjetri, i dyti, del e ankohet duke bërtitur: “S’kemi punë, s’kemi bukë për të ngrënë!” Mirë e ka edhe ky, nuk kemi. Bashkimi ngre gotën e rakisë, kafshon hudhrën e njomë dhe fut pak djathë në gojë. Tund kokën dhe duket sikur qesh, si me vete. Se Bashkimi është burrë i matur, nuk flet keq për njerëzit. Vetëm se rakia është tradhtare, sa më shumë ta duash aq më shumë të gënjen. Dhe Bashkimi e do shumë rakinë, sidomos me hudhra e me djathë. Dhe po mendonte, për kandidatët, po i kujtoheshin gjëra. Por rakia ia kishte liruar muskujt e nofullave e të gjuhës dhe mendimet e bashkimit po i dëgjonte edhe ai që e tregoi i pari këtë histori.
“Po ky që thotë që s’kemi bukë e punë, ky ka gjashtë furra buke dhe furnizon gjithë qytetin. Kurse ky tjetri, që bërtet për hajdutët, ky kur ishte pak më i ri, i vodhi mështjerrën të atit, e theri në pazar dhe e shiti. Mori edhe nja katër kile mish i çoi në shtëpi dhe i tha të atit që e kishte blerë pesëqind lekë. I mori edhe pesëqindlekëshin të atit. Ky hajdut, thotë “kapini hajdutët”, ky tjetri i shet bukë gjithë qytetit, thotë “s’ka punë, s’ka bukë”. He n’gop t’samës, si qenka kjo politika!”.
Këto po mendonte Bashkimi, një burrë i ndershëm që shihte punën e vet dhe që donte rakinë, por s’e kuptonte politikën.