Sheshet anti-protestë

Do të merrem me sheshet e Tiranës dhe Durrësit, qytetet e tjera nuk i njoh mjaftueshëm.

Kur Basha mori drejtimin e Tiranës e para gjë që bëri ishte ndryshimi i planit për sheshin “Skënderbej”. Për të qenë i saktë, anuloi projektin e Ramës, duke hedhur në plehra paratë e derdhura deri në atë moment dhe bëri një rregullim provizor, deri në hartimin e projektit të ri. Pas saktësisht një mandati qeverisës, dardhat vazhdojnë të çelin lule të bardha, pylli i vockël rritet me ditë dhe sheshi ka mbetur po njësoj.

Që në fillim, dy gjëra më janë dukur të pakuptueshme: Pse duhej të mbilleshin gjith’ato pemë, kur plani ishte provizor? Dhe, pse iu dha ajo formë e çuditshme pjesës me bar të ish-lulishtes? Për të parën, personalisht mendoj se kishte dy mesazhe, njëri metaforik, siç janë dardhat, me bisht mbrapa, dardha n’Shën Ndre’ (ajo shprehja popullore, do të marrësh dardhat, ose dardha në Shën Ndre’, që i bie në një stinë kur nuk ka dardha), e kështu domethënë, që e mbollëm me dardha, në pritje të planit të ri. Mesazhi i dytë është fare i qartë: e mbollëm me pemë që askush të mos vërë më dorë mbi shesh dhe nëse e provojnë, do t’i akuzojmë që po pakësojnë gjelbërimin. Ky i bie të jetë bishti, që ka dardha nga mbrapa. Sa për të dytën, atë të formës përreth Skënderbeut mbi kalë, kuptimi duhet të jetë më i thellë dhe, duke qenë se gjërat më të thella duken në sipërfaqe, mendoj se duhet të ketë patur ndonjë lobim të fortë feminist, nga ato të tipit “free bleeding” apo diçka e tillë. Njëkohësisht çmitizohet heroi, rrethohet me një simbol femëror, kali na na qenka pelë, heronjtë na qenkan njerëz, madje çupëlina që sa kanë filluar ta ndjejnë veten femra dhe që grinden mes tyre për gjëra të vogla, por që kurrsesi nuk mund të ngrihen të bashkuara për të artikuluar ndonjë kundërshtim të rëndësishëm. Me bashkëpunimin e Alket Islamit (i takon personave kompetentë për të parë nëse ai ishte pjesë e planit, apo u përdor pa dijeninë e tij), i cili e fotografoi sheshin nga ajri fill pas përfundimit të punimeve, nëpërmjet internetit mesazhi iu shpërnda të pandërgjegjshmes me qëllim për të thyer vullnetin e qytetarëve për të protestuar.

Para se ta shtjelloj më tej këtë, dua të ndalem pak edhe në Durrës.

Dhe pikërisht tek sheshi.

Ky shesh nisi me tersllëk; punimet filluan në verë, kur qyteti ishte i mbushur me turistë, duke rënduar edhe më shumë trafikun, pastaj ajo çështja e shatërvanit, e kështu me radhë, deri sa jemi thuajse në përfundim të tij dhe në pamje të parë të duket se kjo formë që ka marrë i është dhënë pikërisht për të thyer vullnetin e kujtdo që mendon të organizojë ndonjëherë ndonjë protestë. Edhe kështu, nuk është që në Durrës të bie rasti të shohësh shpesh protesta, por gjithsesi. Sheshi është plot me gropa, që mesa duket do të mbillen me lule, me bordura mermeri, si punë stolash, dhe me palma. Një Zot dhe Dako e kuptojnë se ç’dobi i sjellin palmat qytetit, por kjo është çështje tjetër. Në asnjë pjesë të sheshit nuk mund të mblidhen bashkë, fjala vjen, dymijë njerëz, turma do të ndahej në mes nga ato gropat e ato bordurat dhe më shumë se protestë, do të dukej si shëtitje.

Sheshi qendror i Tiranës, të krijon një ankth kur do të kalosh nga njëra anë e tij tek tjetra, të duket se duke i rënë rretheqark asaj gjësë që ka në mes Skënderbeun, humbet aq kohë sa nuk ia vlen mundimi, të duket sikur nuk do të dalësh kurrë nga ana tjetër. E në Durrës, gjithë ai mermer, ato palmat gjigante e ato thyerjet e vazhdueshme, të krijojnë një ndjesi frike, sikur je në një qytet të huaj e nuk do ta gjesh dot rrugën. Në këto sheshe, nuk arrin dot të mbash në kokë ato që po mendoje para se të ishe aty, se të duhet të mendosh se si të kalosh nga ana tjetër dhe të kesh kujdes mos humbet rrugën. Dhe asnjëri prej këtyre shesheve nuk të krijon kushte miqësore për një protestë.

Mund të duket konspiracioniste, madje teprim kosnspiraionist, se duke parë kush i drejton këto qytete, të duket e çuditshme që mund të arrijnë të mendojnë kaq larg, sa ç’është e pandërgjegjshmja, por nga ana tjetër, as e pamundur nuk është. Tek e fundit, ky soj drejtuesish e ka qëllim në vetvete shtypjen dhe shfrytëzimin, aq sa kjo i është bërë pjesë e karakterit, i është futur në nënndërgjegje dhe, edhe pa e ditur vetë, ajo pjesa e errët e mendjes së tyre ka punuar pikërisht në këtë drejtim, duke i shërbyer qëllimit të ndrydhjes së vullnetit për të kundërshtuar.

Dikush mund të pyesë nëse i kam seriozisht të gjitha këto dhe e mirëkuptoj. Dhe ngaqë e mirëkuptoj, po përgjigjem shumë sinqerisht: Nuk e di!

Një mendim mbi “Sheshet anti-protestë

  1. Pingback: Sheshet anti-protestë

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s