Zgjedhjet dhe bojatisja e Durrësit- S’ka asgjë më të thellë se ajo që duket në sipërfaqje

Po afrohen zgjedhjet lokale dhe, përveç kryebashkiakut të Tiranës, i cili me sa duket ka vendosur të mos kandidojë më kurrë në Tiranë, thuajse gjithë të tjerët kanë filluar të përfundojnë punët e nisura, të dalin nëpër televizione duke reklamuar punët e bëra, me ndihmën edhe të banorëve që “kishin vendosur të shisnin shtëpitë, por me rrugën e re s’kanë më arsye”, por me ndihmën edhe të gazetarëve të stilit të realizmit socialist, që u bëjnë jehonë krahëve të ndryshme politikë, apo aspekteve të ndryshme të të njëjtit krah politik me një stil të përshtatur për Shqipërinë e proçeseve demokratizuese, por të mbetur në shijet propagandistike të realizmit socialist, të shndërruar tashmë në realizëm demokratik, posttranzicionist e posttraumatik.

Qyteti i bukur dhe i lashtë i Durrësit, ku gërshetohet demokratikisht dhe pluraristikisht arkitektura e qytetërimeve antike me arkitekturën moderne të stilit antibërthamor me kate shumë, se në rërë vetëm betoni mban; Qyteti ku rrugët mbillen me palma, e diku edhe me banane, për t’i paraprirë ngrohjes globale dhe për ta bërë Shqipërinë prodhuese e jo vetëm konsumuese të frutave ekzotike, veçanërisht bananes; Në Durrës pra, ku deti është ende, por plazhi po jep shpirt, po ndjehet atmosfera festive e fushatës elektorale. Them “festive”, jo për ta pasuruar të shkruarit tim me figura letrare, sepse kur flet për Shqipërinë, apo ndonjë copë të saj, nuk është nevoja e shpikjes së figurave letrare për ta bërë rrëfimin më interesant; këtu gjërat në vetvete janë interesante, po aq sa stresante dhe alarmante. Jo, në Durrësin parazgjedhor atmosfera është festive!

Ja ta shpjegoj pse:

Në Shkozet po përfundon mbikalimi, të cilin kunjtesa kolektive nuk e mban mend kur ka filluar dhe ndërgjegja kolektive nuk e dinte që duhet të ishte bërë shumë më herët. Pastaj Ura e Dajlanit është bërë me një mbikalim këmbësorësh të bukur, përreth të cilit janë shkulur barrakat dhe janë mbjellë lule shumëngjyrëshe (kushtet janë të favorshme për bimësinë, për shkak të plehrimit shumëvjeçar me kontribut vullnetar). Në qendër të qytetit pastaj, aty ku sipas gojëdhënave ka qenë një shatrivan i kohës së Zogut, palmat u mbollën, mermeri u shtrua dhe njerëzit janë mirënjohës që këmba nuk u shkel më në baltë dhe që më në fund mund të ndjehen qytetarë në qytetin e tyre, ashtu si gjyshërit e tyre në 2013-ën e largët. Pastaj akoma, tek Pranvera, ku romakët kishin pas ndërtuar në mënyrë abuzive, po përfundon qendra e re shumëfunksionale, për të cilën Durrësi kishte aq shumë nevojë. Qytetarët mezi po presin të shohin nëse ka qenë e mundur të ruhen një pjesë e rrënojave romake, të cilat , sipas planit të miratuar edhe nga institucioni përgjegjës për menaxhimin e ndërtimeve abuzive të së shkuarës antike, duhet të ekspozohen si shembull për qytetërimet e hershme, se çfarë ndodh nëse guxohet të shkelen ligjet e së ardhmes, duke përfituar nga mungesa e përkohshme e shtetit dhe planeve rregulluese të qyteteve.
Por festat s’kanë kuptim pa ngjyrat e larmishme pranverore dhe prandaj, të gjitha rrugët kryesore të Durrësit po i nënshtrohen rikonstruksionit total të fasadave të tyre, aq të rëndësishme për mirqënien shpirtëroro-elektorale të qytetarëve me të drejtë vote. Disa prej fasadave tashmë kanë përfunduar së mbjelli me gjyrat e shpirtit dhe njerëzit që tani po ndjehen të sigurtë për zgjedhjen e duhur që do të bëjnë në zgjedhjet e ardhshe lokale.

Dhe të gjitha sa u thanë, nuk janë për të qeshur.

Nuk ka asgjë më të thellë se ajo që duket në sipërfaqe, dhe në sipërfaqen e Durrësit, duken fasadat e lyera rishtaz me ngjyra të ndezura, palmat imponuese që të japin përshtypjen se je në një qytet ku jetohet mirë, bulevardet dhe sheshet e shtruara me pllaka e mermer… dhe harresa. Shatrivani është harruar, edhe pse mijëra njerëz shkruan emrin e tyre në peticionin për mosprishjen e tij, shkatërrimi i arkeologjisë është harruar dhe ajo çka mbetur po degradon. Shyqyr o Zot që u bë më në fund Muzeu Arkelogjik, ndoshta njerëzit e apasionuar që punojnë aty mund të shpëtojnë ndonjë copë qytetërim nga duart e babëzitura të injorantëve që nuk njohin vlera.

Me ndarjen e re territoriale, për kryetar bashkie të Durrësit do të votojnë edhe fshatrat, deri në lumin e Ishmit. Duke gjykuar nga sipërfaqja shumëngjyrëshe që po i jepet Durrësit, dhe nga gjendja “për të vënë kujën” e shumicës së fshatrave, përshtypja që më krijohet është ajo e mashtrimit; Do të vijnë fshatarët në Durrës, do të bëjnë fotografi të bukura në bulevard mes palmave dhe mermerit, do të kthehen me shijen e mirë që të lë një shëtitje e bukur dhe në fund, do të votojnë për atë që e bëri të mundur. Por edhe durrsakët, shumë prej tyre pak duan, janë mësuar të kënaqen me pak, prandaj edhe shumë prej tyre do të gënjehen nga ngjyrat dhe do të përforcojnë në kokën e tyre iluzionin se këtu është punuar mirë këto vite. Harresa bën të sajën dhe të gjithë jetuan përjetësisht të lumtur, deri pas zgjedhjeve.

Na ishte një herë Durrësi…

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s