Ra një shi që lagu qytetin;
Ishte i butë si flokët që lagu,
Ishte i rallë si njerëzit e rrugës,
Ishte i shkurtër si mendja e njerëzve.
“Vështroj nga dritarja dhe mendoj për y”
Do t’thoshte ndonjë poet romantik,
Ndërkohë që ca pika i bien në sy
Dhe natyrshëm, bëhet pak melankolik.
Duke kërkuar mes sysh të panjohur
Të njohurën time, që dua ta harroj,
Ndoshta pandërgjegjshëm, e nga vetmia i lodhur,
Po kërkoj dikë që ta dashuroj.
Poezitë që unë, unë aq shumë i dua,
Ndoshta nga ajo ç’ka s’dua të provoj,
I mbyll mospërfillës, sepse ato në mua
Zgjojnë ndjesi të vjetra, që s’mund t’i përballoj.
Dhe ky shi i butë, që nga përtej qelqit
Më fton t’i harroj poezitë e mia.
Por unë dashurinë s’ia blatoj dot dreqit,
Sado që, prej saj, sot po më lodh vetmia.
Pafundësisht të desha, padrejtësisht më çmende!
Shiu nuk më ndahet, por unë s’do të qaj,
Si ditën kur kuptova që s’e kam zemrën tënde,
Si mbrëmjen e së djeshmës dhe ditët para saj.
Kur mbrëmja të bjerë dhe sot, si çdo natë
Ndoshta dal në rrugë dhe pyes kalimtarët:
“A ishit këtu? Shiun, a e patë,
Që përpara syve ju lagu trotuarët?”
Ndoshta më thonë “Po!”, se ndoshta shi ishte,
Ose ndoshta thjesht ashtu desha unë.
Përse duhej shiu, këtë ditë ta prishte?
Të mos kishte rënë, kasha dashur shumë!
***
Kalimtarët shohin një poet të çmendur
Që i ikën shiut, me shiun mbi shpinë
Dhe që thërret fort, zogjtë duke i trembur:
“Më merrni, ju lutem, më mbyllni në çmendinë!”
Shikoj nga dritarja, në natën pa drita,
Poetin që shkruan dhe që kafshon gishtat,
Duke fshehur mbresat, që i pat lënë dita,
Duke fshehur ndjenjat, ato më të brishtat.
S’e di pse iu desh ky shi sot qytetit,
Por e di shumë mirë ç’i ndoshi një mikut tim;
Atij që vraponte e që qante; poetit:
Shkroi një poezi, për t’mos vdekur në trishtim.
Zymtinë e shpirtit, kapi ia veshi qiellit,
E lotët e syve i fali pa kursim.
Pastaj ra një shi rugëve të qytetit,
Që i lagu njerëzit e çliroi mikun tim.