Zotit të gjithësisë ia kemi borxh përkushtimin,
Pastaj familjes dhe dashurisë.
Por padrejtësisht, sot dua t’i shkruaj poezisë.
Se e kam si zgjatim të shpirtit;
Kur ia përtoj, kur e braktis,
Kur e gris dhe e hedh në kosh,
Kur ia lë vargjet bosh si eshtra,
Kur e mbush me ndjenja të gënjeshtërta,
Kur e përdor padenjësisht
Për të hyrë hajdutërisht në zemra,
Kur e mbush me emra sendesh
Dhe emra vendesh që s’vlejnë sa fjala…
Kur pastaj e thërras në shërbim,
Shpirtin tim ta ilustroj për të tjerët,
Ajo zbret në kokën e errët
Si pëshpërimë, nis të lindë në heshtje
Dhe vjen në botë siç vjen një stinë.
Me pëshpërimë dhe pak buzëqeshje
Del prej buzësh dhe zbret drejt gishtave
Që, nervozë siç janë e kthejnë në shkronja,
Ku mbetet derisa unë të vendos,
Në e ndaj me të tjerët, apo e varros!